Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’ në Zvicër
LAPSH
Institucioni i mësimit plotësues në gjuhë shqipe në Zvicër
I mbështetur nga Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, dhe i njohur nga institucionet zvicerane që nga viti 1996. Japim mësim në gjuhë shqipe mbarë Zvicrës për nxënësit e shkollës fillore.
Historia jonë
Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Zvicër ka filluan në fund të viteve 1980, dhe institucioni i LAPSH-së është themeluar zyrtarisht në vitin 1995, si një përgjigje ndaj nevojës urgjente për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar ndër fëmijët shqiptarë në mërgim, me qëllim që këta fëmijë të ktheheshin në atdhe dhe të vazhdonin shkollimin në gjuhën shqipe.
U krijua nga mësues dhe prindër të përkushtuar që besonin se gjuha shqipe është themeli i përkatësisë sonë kombëtare, në bashkëpunim me qeverinë e atëhershme të Kosovës.
Misioni ynë është edukimi i fëmijëve shqiptarë në gjuhën, historinë dhe kulturën tonë, në harmoni me realitetin arsimor zviceran. Vizioni është të formojmë një brez të vetëdijshëm për prejardhjen, krenar për identitetin dhe të përgatitur për të ndërtuar ura mes dy kulturave: asaj ku jetojnë dhe asaj prej nga vijnë.
Gjuha shqipe është ura jonë e përbashkët. Nuk na bashkon një shtet i vetëm, as një fe e vetme, por një gjuhë që mbart historinë, kulturën dhe shpirtin shqiptar.
LAPSH ekziston për ta mbrojtur gjuhën shqipe, brez pas brezi.
Misioni ynë
Vlerat tona
Bashkëpunim i ngushtë mes mësimdhënësve dhe familjeve është një nga forcat kryesore që mban të gjallë dhe funksional rrjetin e LAPSH-së në të gjithë Zvicrën.
Ky bashkëpunim ndërtohet mbi një filozofi të thjeshtë por të fuqishme, të përfaqësuar edhe në simbolin tonë: trekëndëshi simbolizon lidhjen e pandashme mes prindit, mësuesit dhe nxënësit. Secili kënd mban dhe mbështet tjetrin.
Pa prindin nuk ka vazhdimësi, pa mësuesin nuk ka drejtim, dhe pa nxënësin nuk ka të ardhme.
LAPSH në Zvicër është federatë që ka anëtarë të gjitha shoqatat kantonale të LAPSH-së (Këshillat kantonalë)
Kryesia e LAPSH në Zvicër
Udhëheqet nga dy bashkë-Kryetarë

Vaxhid Sejdiu
Vaxhid Sejdiu ka lindur më 1961 në Kumanovë, ku kreu shkollimin fillor e të mesëm dhe më pas studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku u nderua me titullin “Student i dalluar”. Ka mbrojtur magjistraturën më 2006 dhe doktoratën më 2014 në fushën e letërsisë shqipe. Pas përvojës si mësues në vendlindje, më 1989 u vendos në Zvicër ku dha kontribut të veçantë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe në veprimtarinë kombëtare, si mësues në shkollën zvicerane, kryetar i Fondit “Liria Kombëtare” për Zvicër gjatë luftës së Kosovës, si dhe kryetar i LAPSH-it për Kantonin e St. Gallenit dhe i Këshillit të Arsimtarëve për shumë vite. Për punën e tij është nderuar me mirënjohje nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë.
Në vitin 2019 u caktua koordinator i shkollave shqipe nga Ambasada e Shqipërisë në Zvicër, duke mundësuar hapjen e dhjetëra klasave të reja në mbarë vendin. Ka botuar poezi dhe shkrime publicistike, është bashkautor i librave “Kumanova për flamur” dhe “Shqiptarët në rajonin e Sarganserlandit”, ndërsa më 2021 botoi librin “Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”. Që nga viti 2024, Vaxhid Sejdiu është bashkë-kryetar i LAPSH-it në Zvicër, duke mbetur figurë e përkushtuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Liburn Mehmetaj
Lindur në vitin 1991 në Prishtinë, Liburn Mehmetaj është rritur në Zvicër në një familje ku prindërit e tij kanë dhënë një kontribut të çmuar 30-vjeçar në shkollën shqipe. Ai është i diplomuar në Bachelor dhe Master në Universitetin e Friburgut në shkenca juridike, si dhe ka përfunduar një Master të dytë në Universitetin e Los Angeles-it (UCLA) me mbështetje të shtetit amerikan (Fulbright). Sot ushtron profesionin e avokatit në Gjenevë dhe është ortak në firmën më të madhe të avokatëve në Zvicër.
Si pjesë e brezit të dytë të veprimtarëve të shkollës shqipe, Liburn Mehmetaj ka qenë Sekretar dhe më pas Kryetar i LAPSH-së në Gjenevë prej vitit 2018 e deri më sot. Nën udhëheqjen e tij, LAPSH në Gjenevë ka kaluar një proces të thellë modernizimi: digjitalizimin e administratës dhe faturimit, regjistrimin të prindërve përmes internetit dhe krijimin e ditarit elektronik. Ai udhëheq LAPSH-në në Zvicër nga viti 2022. Liburn Mehmetaj ka dhënë një numër të konsiderueshëm konferencash mësimdhënësve zviceran, për tua shpjeguar kulturën familjare shqiptare. Si baba i dy fëmijëve, ai mbetet i përkushtuar që shkolla shqipe të jetë një vatër e gjallë e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Zvicër.
Kryesia e LAPSH në Zvicër përbëhet nga
Kryetarët në Kantone
Në Zvicër, çdo kanton ka organizimin e vet, dhe së bashku formojnë kryesinë e LAPSH në Zvicër.
Statistikat e LAPSH
Numri i Nxënësve