L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë

Intervista

me Profesor

Dr. Dr. Basil Schader



SHKRIME

























  

SËRISH NIS VITI I RI SHKOLLOR PËR TË MËSUAR GJUHËN SHQIPE



Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” është bartëse e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, sërish nisi vitin e ri shkollor 2020/’21, më 10 gusht (Bernë - Basel Land) e diku më 17 gusht (Cyrih e tjera ) varësisht kur fillon mësimi i rregullt nëpër kantone të cilat kanë orare të ndryshme sa i përket fillimit dhe mbarimit të vitit shkollor.


Si çdo vit tashmë, nxënës, mësues, prindër entuziastë, miq e dashamirës, mblidhemi tok dhe  me ambicie për fryte të mëtejshme nxitim për përfshirjen sa më të madhe të  fëmijëve në këtë cikël të përvitshëm mësimor.


Është gëzim dhe kënaqësi e madhe për ne që sivjet nisemi të 30-tin vit radhazi në mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët tanë. Ky vit shkollor përkon me tridhjetë vjetorin e organizimit të këtij misioni fisnik.

Shkolla ka krijuar një fole të ngrohtë për komunitetin, janë të regjistruar 1700 fëmijë shqiptarë dhe shqiptaro-zviceran që do të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe për këtë vit shkollor- theksoi kryetari i LAPSH-it Nexhat Maloku, i cili është edhe mësimdhënës i gjuhës shqipe në Cyrih.


Mësimi vazhdon të realizohet në 15 kantone si: Argau, Bernë, Basel, Cyrih, Friburg, Glarus, Jura, Gjenevë, Neoshatel, St. Galen, Thurgau, Vaud, Chafhausen, Valis dhe Tiçino. Mësimi është nën kujdesin e personelit të 53 mësimdhënëseve mjaftë të përkushtuar. Pas këtyre e shumë të tjerave ne kemi çdo arsye të buzëqeshim.


Në kushtet e jetës jashtë Atdheut, mësimi i gjuhës amtare dhe ruajtja e zhvillimi i identitetit kombëtar vështirësohet dhe kjo manifestohet shumë më tepër te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur në vend të huaj. Prandaj, institucioni më i përshtatshëm, ku mësohet e zhvillohet formimi gjuhësor e kulturor me përkujdesje profesionale, është shkolla.


Shkolla shqipe është hapur për të gjithë fëmijët shqiptarë. Glarusi është Kantoni dhe qyteti ku ka filluar për herë të parë Shkolla Shqipe e pavarur (nga sistemi ish jugosllav) në Zvicër më 1 shtator 1990 nga mësuesja e përkushtuar Drita Krasniqi.


Prej më se 30 vjetësh për mes mësimit plotësues qindra fëmijë të moshave 6 -16 vjeç vazhdojnë të arsimohen në gjuhën shqipe.


Përgëzoj ata prindër që fëmijët e tyre i dërgojnë në shkollën shqipe, se shkolla për ta është hapur. Me mësimin e gjuhës amtare fëmijët kanë mundësi të zhvillojnë njohuritë e tyre  gjuhësor në shqip, flasin më lehtë me prindër dhe rrethin familjare, mësojnë të shkruajnë e të lexojnë. Gjuha amtare është identiteti ynë kombëtar shqiptar, gjuha  amtare është themeli mbi të cilën ndërtohet aftësia e tij për të mësuar. Fëmija që e dinë gjuhën e vet, më lehtë do të mësojë gjuhën e dytë. Duke mësuar shqipen krijohet dygjuhësia shqip dhe gjermanisht, shqip frëngjisht etj.


Shqetësimet për më shumë nxënës që ulën në bankat shkollore vazhdojnë të jenë plaga jonë, jo të gjithë prindërit e kuptojnë rëndësinë e mësimit shqip sikurse ne mësimdhënësit. Dhe është për të ardhur keq që shumë fëmijë me të dy prindër shqiptarë e kanë harruar gjuhën amtare shqipe.


Këtu në Zvicër janë me mijëra nxënës e nxënëse që nuk vijnë në shkollat shqipe. Për këtë duhet të jemi më këmbëngulës, prindërit nuk duhet të ua mohojnë fëmijëve të drejtën më elementare siç është mësimi i gjuhës amtare shqipe. Nga ana tjetër, qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i përgjigjet me përgjegjësi shqetësimit të diasporës në veçanti shkollës së mësimit të gjuhës shqipe. Po të qëndrojmë kështu të vjen një ditë ku vështirë se do të ketë lexues që dinë të lexojnë shqip.

 

Mbetemi me shpresë se vitin e ardhshëm shkollor në shkollën shqipe do të kemi më shumë nxënës të rinj e të reja që duan të mësojnë si flitet dhe shkruhet gjuha jonë shqipe.




Delemont, 30.08.2020                            

Nexhmije Mehmetaj





NJË LIBËR PËR DIJEN, SHKOLLËN SHQIPE DHE KULTURËN KOMBËTARE


Doli në qarkullim libri «  Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut- Zvicër » monografi, i mësuesit të dalluar të Shkollës Shqipe Hamzë Morina.


Libri është një përmbledhje publicistike mbi veprimtarinë e mësuesve dhe mësueseve të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë, shumica e të cilëve drejtpërdrejtë ose jo janë heronj të librit, pjesë e asaj armate arsimtarësh që kanë marrë rrugën e mërgimit, duke marrë atë pak dritë e diturisë në Shqipëri, Kosovë e që duan të përcjellin tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur në Zvicër.


Në të 260  faqet e librit trajtohet problemi i gjuhës shqipe në mërgim, ngjarje që lidhen me Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, me të dhëna informative shumë të pasura nga viti 1990 kur u hap shkolla e parë shqipe e pavarur deri më sot e mësuan me mijëra e mijëra fëmijë shqiptarë. Përvoja e mësuesve të shqipes në hapësirën zvicerane dhe problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare larg atdheut përballë asimilimit tepër të shpejt që po ndodhë, si pasojë e mos shkollimit shqip të fëmijëve.


Libri trajton probleme të kësaj natyre, shqetësime të mësueseve dhe prindërve dhe mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur, në mënyrë që gjuha dhe arsimi shqip të zhvillohet e të mësohet nga shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë.


Libri, nga ana tjetër, është një nderim për gjithë mësuesit shqiptarë në Zvicër, të cilët pas punës së përditshme gjejnë kohën të mësojnë fëmijët e mërgimtarëve që gjuha shqipe të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi.


Libri është një dëshmi se si mësuesit shqiptarë në Zvicër kanë marrë nismën dhe të bashkuar rreth Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” organizojnë mësimin e shqipes në shumë kantone, sepse për mërgimtarët shqiptarë, nevoja e rrjetit shkollor në gjuhën amtare, është bërë prej tre brezash më së e domosdoshme për mos asimilimin e fëmijëve, duke nënkuptuar me këtë koncept të gjitha rrafshet e traditës dhe kulturës kombëtare në bazë të të cilave qëndron gjuha amtare shqipe.


Libër është një zëdhënës i diasporës shqiptare që edhe paraqet zhgënjimin ndaj pushtetarëve dhe politikanëve të atdheut të cilët nuk e ngritën Mësimin Plotësues Shqip në nivel shtetit, ashtu siç veprojnë komunitetet tjera. Diaspora shqiptare në Zvicër priti në gjirin e saj shumë ministra të arsimit e personalitete të ndryshme nga Kosova por kurrë asnjëri prej tyre nuk mori të paktën një takim me palën zvicerane për të ia parashtruar problemin e Mësimit Plotësues Shqip.


Libri, në një mënyrë është edhe një udhërrëfyes për autoritetet shtetërore të arsimit në Kosovë, për mënyrën dhe rrugën se si mund të ndërtohen politika arsimore në ndihmë të mërgimtarëve që Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe të institucionalizohet me të gjitha parametrat shtetëror, fëmijët shqiptarë çdo ditë janë nën nofullat e asimilimit.

Libri është botuar nga shtëpia botuese ”Lena”Prishtinë.



Delemont, 15.02. 2020                                   

Nexhmije Mehmetaj





















Në Shkollat Shqipe në Zvicër spikat dhimbje e solidariteti për Shqipërinë tonë të pikëlluar


Në Shkollat shqipe në Zvicër, të mërkurën e pasdites është zhvilluar një orë e veçantë mësimore, ku spikat dhimbja dhe solidariteti me Shqipërinë tonë të pikëlluar nga pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.


Të gjithë jemi të tronditur! Mu në prag të festës më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Përgatitjet me nxënës pritnin orën e kremtimit kombëtar tradicional. Në vend të buzëqeshjes u tronditem në shpirt dhe mendje për numrin i viktimave në Durrës e Thumanë, për njerëz me trauma që nuk kalojnë lehtë, për dëmet tjera ekonomike dhe shoqërore.  Respekt! Për të gjithë bujarët shqiptarë në atdhe, në trojet e Ilirisë - Arbërisë, për shqiptarët jashtë atdheut si dhe të miqve tanë ku do nëpër botë, pa kursim u solidarizuan e qëndruan paranë Shqipërisë në këto ditë të vështira nga fatkeqësia natyrore.


Solidariteti i shqiptarëve në Zvicër, vazhdoi edhe në Shkollat Shqipe, me mësuesit/et dhe nxënësit/et e saj. Në organizimin dhe planifikimin e një ore mësimore të detajuar dhe reale të zbatuar në gjuhën shqipe, me fokus Tërmeti në Shqipëri, me synim madhor, t’ iu ofronim nxënësve, një dritare të hapur ndaj atdheut. Dashuria për atdheun dhe tokën tonë është një nga objektivat që ka vetë Shkolla Shqipe. Edukimi atdhetar, si një pjesë tjetër e

programit që ne ndjekim është një nga objektivat e punës sonë.


Shpreh mirënjohjen time për punën e palodhur e fisnike të kolegeve që me profesionalizëm të përsosur më dërguan punën e nxënë: Mendja më shkon tek puna e përkushtuar dhe e angazhuar më se miri në këtë organizim me veprimtari solidarizuese dhe përkujtimore me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të vetë nxënësve dhe të prindërve e mësueses Idaije Jashari nga Shkolla Shqipe në Bernë, pika shkollore në Ostermundingen (shih fotografitë e nxënësve që dëshmojnë këtë).  


Mësuesja Mirela Duka, Bernë pika shkollore në Lorraine (të zgjedhura poezi nga nxënësi Nis Zhubi dhe nxënësja Chiara Xoxi).  Mësuesja Florije Xhema nga shkolla shqipe në  Basel Land (shih vizatimin e nxënësit Endrit Merovci kl. 3). Mësuesja Lumnije Emini, Gjenevë. Në vazhdim po ua përcjell disa nga punimet nxënësve të shkollës sonë në Jura.


Konstatuam për veprimtarinë mësimore, dhe për befasinë që na dhuruan fëmijët e shkollës sonë. Përfundimi i ngjante një ylberi që ka zbritur në botën e mrekullisë fëmijërore edhe pse të lindur në një vend tjetër që nuk është atdheu. Kudo dashuri, mesazhe, piktura e vizatime të thjeshta, me ide të mençura: Ideja u përçua!



Delemont, 06.12.2019                              

Nexhmije Mehmetaj



Nis përsëri viti i ri shkollor për të mësuar gjuhën shqipe


Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër filloi vitin e ri shkollor (2019- 2020), vazhdon përpjekjet e saj dhe mundohet të mbajë gjallë dëshirën e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe.





Si çdo vit tashmë, nxënës, mësues, prindër, miq e dashamirës, mblidhemi tok dhe me ambicie për fryte të mëtejshme nxitim pjesëmarrjen e fëmijëve në këtë cikël të përvitshëm mësimor për të mësuar shqip.


Mësimi shqip filloi diku më 15 gusht (Basel), e diku më 2 shtator, në kantonet: Arau, Bern, Basel, Cyrih, Friburg, Glarus, Jura, Gjenevë, Neoshatel, St. Galen, Thurgau, Vaud etj. Me stafin e mësueseve mjaft të përkushtuara: Afërdita Canaj, Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi, Idaije Jashari, Elfete Hasi, Merita Azemi, Fitnete Balaj, Florije Xhema, Afërdita Veliu, Remzije Shabani, Halime Vishi, Elfete Hyseni, Anita Asani, Mirela Xoxi e shumë të tjera.


Urojmë që nxënësit dhe mësuesit tanë të kalojnë një vit sa më të suksesshëm, të ndihemi sa më pranë atdheut tonë të dashur Shqipërisë Kosovës ... duke folur dhe duke shkruar në gjuhën e të parëve tanë, duke shkruar me alfabetin tonë të pasur, saktë e bukur gjuhën e nënës.


Për zhvillimin e mësimit shqip do ta ndjekim shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes kombëtare, dhe nuk do të lodhemi duke punuar për vendin tonë, për gjuhën tonë, për shkollën shqipe dhe kulturën shqiptare, për ta zhvilluar edhe më tej dhe për ta ruajtur si një pasuri e jona kombëtare.


Glarusi është qyteti ku ka filluar për herë të parë shkolla shqipe e pavarur në Zvicër (shtator 1990) me mësuesen largpamëse Drita Krasniqi dhe këtë shtator fillimi i vitit shkollor përkon me 29 vjetorin e këtij misioni fisnik. Kështu dalëngadalë po duken themelet e ndërtuara nga mësuesit e gjuhës shqipe për kaq vite jo  rrallë herë pa shumë mund, por me më shumë dashuri.


Një nga synimet kryesore të programit dhe statusit të Shkollës shqipe është zhvillimi dhe ruajtja e gjuhës, traditës dhe kulturës të komunitetit shqiptar në Zvicër.


Qëllimi parësor i mësimit shqip është që fëmijët të kenë rastin të kultivojnë dhe të zhvillojnë më tej gjuhën shqipe, të përmirësojnë atë në të folur dhe në të shkruar si dhe të zgjerojnë njohuritë mbi atdheun dhe kulturën shqiptare.


Nga pikëpamja shkencore gjuha amtare luan rol qendror në procesin e përvetësimit të gjuhës te çdo njeri. Çdo fëmijë sa më mirë e di gjuhën e vet amtare aq më shpejt e mëson të dytën. Përveç kësaj fëmijët që ndjekin mësimin shqip e krijojnë një dygjuhësi të lehtë, gjithashtu një potencial i rëndësishëm shoqëror që duhet vlerësuar.


Një shqetësim është që numri i nxënësve që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe kohëve të fundit është zvogëluar. Shumë prindër shqiptarë nuk e vlerësojnë gjuhën shqipe dhe nuk i dërgojnë fëmijët në mësimin shqip. Arsyeja e parë është “ne në shtëpi flasim shqip, fëmija im di të flas shqip.” Një mendim plotësisht i gabuar, nuk mësohet gjuha pa shkollë. Të lexuarit dhe të shkruarit nuk mësohet në familje. Sikur të ishte i drejtë ky mendim zviceranët nuk do të hapnin fare shkolla për mësimin e gjuhës gjermane apo frënge.  


E shoh të udhës ta zgjeroj kronikën, të ndalim në shkollën shqipe në Jura, ku punoj. Sivjet u regjistruan16 fëmijë të rinj, 11 me prindër shqiptarë dhe 5 me njërin nga prindërit shqiptarë. Dita e parë ishte shumë e gëzueshme, një ditë e cila shpalosi aq bukur mbresat që fëmijëve iu lanë pushimet në Atdhe, shëtitjet në vendet e tyre të dashura, njohjet e reja që kishin bërë, lojërat e reja që kishin mësuar.


Në fytyrat e fëmijëve shihej gëzimi sidomos tek ata që vinin për herë të parë. Ata duken të qetë e të urtë ngaqë mjedisi është i panjohur, por në sytë e tyre rrezaton një dritë lumturie se së shpejti do të fillojnë të mësojnë si lexohet dhe shkruhet në gjuhën amtare.


Më të druajtur ndiheshin fëmijët dygjuhësh me njërin prind shqiptar. Shumë nga ata ëndërrojnë kur do të flasin lirshëm e sa më parë shqip me të dashurit që jetojnë në Shqipëri, Kosovë apo gjetiu.


Më të buzëqeshur ishin fëmijët e klasave që kishin bërë mësim më parë në gjuhën amtare dhe sivjet do të zhvillojnë mësime në nivel më të përparuar. Si të tillë ata e ndjejnë veten më të sigurt dhe shumë të interesuar për të filluar sa më shpejt mësime nga historia dhe gjeografia e vendit tonë të dashur. Të gjithë së bashku shoqëruam Eliesën duke recituar.


Shqipëri o nëna ime

Ndonëse jam i mërguar

Dashurinë tende,

Zemra kurrë s’e ka harruar...



Delemont, 14.09. 2019                                   

Nexhmije Mehmetaj






Nexhmije Mehmetaj   



        

Shën Tereza, shëmbëlltyrë e humanizmit botëror, në orën e gjuhës shqipe



“Të jemi shpirtmirë, ta duam njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njeriun që kemi pranë “ porosia e Nënë Terezës.


Shqiptarja, Gonxhe Bojaxhiu, ose Nëna Tereza ( 1910-1997), si dhe e thërret bota mbarë, ka marrë pothuajse të gjitha mirënjohjet më të larta ndërkombëtare, deri edhe çmimin Nobël për Paqe me 10 dhjetor 1979.


Qe ky kurorëzimi më i lartë botëror për Nënë Terezën. Tashmë ajo u bë e famshme në përmasa botërore, kurse për shqiptarët u bë krenari kombëtare. Gjithashtu, ajo u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Selia e Shenjt e Vatikanit.


Shën Nënë Tereza është udhëheqëse shpirtërore, një figurë frymëzuese për shumë njerëz anembanë botës, humaniste, pasi ka bërë vetëm vepra bamirësie. “Falni dashuri në gjithçka bëni”, ishte thelbi i mendimit dhe sjelljes së saj.


Shën - Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Ajo u bë qytetare e botës, popujve, feve dhe e qytetërimeve. Për të u ngritën përmendore në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Bratislavë, Strasburg, Madagaskar, Johanesburg etj..


Në ketë vit shkollor ora e parë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër i kushtohet ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës. Në Shkollën shqipe në kantonin Jura  me ketë rast kam realizuar mësimin përmes  Projektit me temë “Nënë Tereza, jeta dhe vepra e saj” të gjithë fëmijët u përfshin  në bashkëbisedim, çdo njëri ishte aktiv në lidhje me jetën dhe veprën e saj. Të frymëzuar nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës, nxënësit krijuan portretin e saj përmes vizatimit, një vjershë dhe një hartim në gjuhën shqipe. Ja disa prej vizatimeve më të mira të nxënësve të shkollës sonë: Donika Pjetraj, Lorik Ferati, Olti Hoxha, Klea Ajeti, Ena Ajeti, Léa Mehmetaj, Andi Rexhepi, Leon Dobruna, Leona Lumeshi, Ardi Mahmuti,  Erona Ramabaja, Altina Mahmuti, Elona Ramadani, Gent Muhaxheri, Gentian Ramabaja, Teo Rexhepi, Elton Fetahaj e shumë të tjerë.