L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë


Intervista

me Profesor

Dr. Dr. Basil Schader

 

 

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri» është formë e organizimit të arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë në Zvicër. Ajo është organizatë jopolitike dhe jofetare. Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë«Naim Frashëri» është bartëse e shkollës shqipe në Zvicër.


Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Zvicër (SHSHMPZ) perceptohet, vlerësohet, dallohet e respektohet si:

1. Institucion arsimimi e bashkimi


 Nxënësit e mësimdhënësit e SHSHMPZ janë nga viset e ndryshme të hapësirës gjuhësore e  kulturore shqiptare.

 Anëtarët e LAPSH “Naim Frashëri”, bartëse e SHSHMPZ, gjithashtu.

 SHSHMPZ është bartëse e vlerave kombëtare edukative, arsimore e kulturore.

Në kokat, zemrat e shpirtrat e nxënësve, mësimdhënësve e prindërve të SHSHMPZ nuk ekzistojnë as kufi e as ndasi krahinore e lokale. Dallimet dialektore e subkulturore (tradita, përkatësia fetare etj.) çmohen e respektohen si pasuri të thesarit të përgjithshëm kombëtar.


2. Institucion vetëdijesimi e përparimi


 Mësimdhënësit dhe anëtarët e LAPSH “Naim Frashëri” janë bartësit e aktiviteteve për  ngritjen e  vetëdijes së bashkëkombësve tanë në Zvicër për sa i përket:

- rëndësisë së gjuhës amtare dhe vlerave të tjera kulturore,

- formimit të identitetit individual e kolektiv kulturor e interkulturor

- integrimit të natyrshëm në shoqërinë zvicerane, pa hequr dorë nga identiteti kulturor i   prejardhjes.

- edukimit paqësor, antiracist e universalist për sa u përket të drejtave të fëmijëve e     njerëzve në    përgjithësi

- trajtimit të barabartë gjinor, individual e grupor,


Këto parime përbëjnë bazën kryesore të programit edukativo-arsimor e kulturor të SHSHMPZ.


3. Institucion integrimi


Nxënësit, mësimdhënësit SHSHMPZ dhe anëtarët e LAPSH “Naim Frashëri” janë bartës të proceseve integruese në sistemet shoqërore zvicerane. Ata/ato janë njohës e praktikues të mirë     të dy kulturave dhe shërbejnë si ura lidhëse ndërkulturore

        

» Çka ofrojmë ne?


 Mësimin plotësues në gjuhën shqipe për të gjithë fëmijët e moshës shkollore në Zvicër

 Kurse e seminare për arsimimin e prindërve

 Kurse alfabetizimi për prindërit me përgatitje shkollore të ulët

 Kurse për mësimin e gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes

Kurse integrimi (informacione, takime ndërkulturore etj.)

 Kurse të kombinuara gjuhësore e integruese

 Kurse e seminare për ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë

 Kurse për vendës: mësimdhënës, punëtorë social e nëpunës

 Këmbime përvojash (takime ndërkulturore)

 Ndërmjetësime ndërkulturore

 Përkthime profesionale në fushën e arsimit

 Këshillime profesionale në fushën e arsimit

 Përcjellje profesionale në raste vështirësish, konfliktesh

 Mediacion ndërkulturor


Kush?


 Ekspertët e fushave të ndryshme (prindër dhe arsimtarë,

 anëtarë të Lidhjes: pedagogë, punëtorë social etj.)

 Përkthyesit e ndërmjetësuesit kulturor

 Këshilltarët mediatorët kulturor

 Krijuesit artistik (shkrimtarë, piktorë, artistë, muzicientë)  


Ku veprojmë ne?

 

Përmes rrjetit të saj organizativ në Këshilla Kantonale, Rajonale e Komunale, Lidhja e zhvillon veprimtarinë e vet në tërë Zvicrën.

Këshillat Kantonale, Rajonale dhe Komunale e përfaqësojnë Lidhjen para prindërve shqiptarë, organeve zvicerane dhe kryejnë veprimtari edukativo-arsimore e kulturore në koordinim me Kryesinë Qendrore të Lidhjes.  


Si?


 Aktivitetet e Lidhjes iniciohen dhe hartohen prej komisioneve përkatëse, gjegjësisht prej ekspertëve të fushave përkatëse dhe miratohen nga Kryesia Qendrore.

Kryesia Qendrore i shqyrton konceptet, propozimet dhe sugjerimet e ekspertëve dhe vendos për realizimin e projekteve. Ajo i cakton dhe angazhon personat adekuat dhe grupet e punës për realizimin e tyre.

 Në kuadër të Lidhjes funksionon sektori për ndërmjetësim dhe çështje ndërkulturore. Ky sektor ka karakter koordinues dhe ndërveprues me partnerët tjerë në fushën e arsimit e të kulturës.


 H i s t o r i k u


HISTORIKU I SHKURTËR I LIDHJES SË ARSIMTARËVE DHE PRINDËRVE SHQIPARË “NAIM FRASHËRI”, BARTËSE E SHKOLLËS SHQIPE TË MËSIMIT PLOTËSUES NË ZVICËR


 Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri“ (në tekstin vijues: LAPSH “Naim Frashëri”), si formë e organizuar e arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë në Zvicër, gjegjësisht si vazhdimësi e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) dhe Lidhjes së Prindërve Shqiptarë (LPSH), ekziston prej 26 marsit të vitit `95.


Për dallim nga organizatat e tjera shqiptare në Zvicër, ajo nuk është themeluar në bazë të ideve e nismave të individëve apo grupeve dhe nevojave të tyre vetjake apo grupore, por në bazë të nevojës së përgjithshme dhe të domosdoshme për përkujdesje arsimore e edukative të mijëra fëmijëve e të rinjve mërgimtarë në Zvicër.  LAPSH “Naim Frashëri” është themeluar në bazë të Nenit 3 të Dekret-ligjit për drejtimin e veprimtarisë edukativo-arsimore të Qeverisë së Kosovës.


Formimi i Lidhjes, bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (në tekstin vijues: SHSHMPZ), është bërë në Kuvendin e mbajtur në Zofingen më 26 mars 1995, si rezultati Marrëveshjes paraprake në mes të dy Lidhjeve (LASH e LPSH) dhe ministrive të Arsimit të Kosovës, Shqipërisë dhe subjektit politik shqiptar të Maqedonisë.


Më 30 tetor 1995 LAPSH “Naim Frashëri” është pranuar zyrtarisht bartëse e SHSHMPZ nga Konferenca e Drejtorive Kantonale të Arsimit (EDK) dhe Komisionit Federal për Çështje të të Huajve (EKA).


Deri në vitin 2000 rrjeti i saj organizativ shtrihej në tërë Zvicrën. Për shkaqe të ndryshme objektive e subjektive kanë pushuar së vepruari nga viti shkollor 2000/01 këshillat në kantonet: Appenzell, Graubünden, Glarus, Uri e Tessin. Mosfunksionimi i këshillave në këto kantone, ka ndikuar në dobësimin e funksionimit të rrjetit të përgjithshëm organizativ të Lidhjes.


Zhvillimi i mësimit plotësues nga viti shkollor 1990/1991 e këtej është arritur falë angazhimit e punës vullnetare të këshillave komunale, rajonale e kantonale dhe angazhimit të një pjese të konsiderueshme të mësimdhënësve shembullor, të përkushtuar e të përgjegjshëm, të cilët edhe pse nuk janë paguar rregullisht nga ana e prindërve, e kanë zhvilluar dhe vazhdojnë ta zhvillojnë mësimin plotësues për hir të nevojave të nxënësve.


Në Konferencën e Parë Kombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë (Bern, 6-9 qershor 2003) është rinjohur LAPSH “Naim Frashëri” nga institucionet relevante politike, arsimore, shkencore e kulturore të hapësirës shqiptare, bartëse e vetme zyrtare e SHSHMPZ dhe drejtuese e Këshillit të Përkohshëm Koordinativ-Konsultativ të SHSHMP në Diasporë (Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës, Ministria e Arsimit të Maqedonisë, Ministria e Kulturës, Sportit e Çështjeve Jorezidente të Kosovës, Ministria për Mbrojtjen e Pakicave të Malit të Zi, Subjekti politik i Luginës së Preshevës - Asambleja e Preshevës e Bujanocit, Instituti i Diasporës Shqiptare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Instituti i Studimeve Pedagogjike të Shqipërisë dhe Zyra për Zhvillimin e Përparimin e Arsimit të Maqedonisë).


Q ë l l i m e t


 Ruajtja, kultivimi, pasurimi dhe zhvillimi i gjuhës dhe kulturës kombëtare

 Zhvillimi i kompetencës gjuhësore te fëmijët e moshës shkollore, të rinjtë dhe të rriturit (shkrim-leximi e komunikimi në gjuhën shqipe)

 Zhvillimi i kompetencës gjuhësore te fëmijët e moshës shkollore, të rinjtë dhe të rriturit (shkrim-leximi e komunikimi në gjuhën gjermane, frënge e italiane)

 Ruajtja dhe forcimi i lidhjeve me farefisninë e vendlindjen

 Ruajtja dhe kultivimi i traditës, normave dhe vlerave kulturore

 Zhvillimi i vetëdijes, vetëvlerësimit dhe vetëpohimit

 Prezantimi i kulturës, gjegjësisht vlerave kulturore

 Përfitimi nga këmbimet e përvojat ndërkulturore

 Zhvillimi i rrjetit kontaktues në mes bashkëkombësve tanë, vendasve e të tjerëve në Zvicër

 Integrimi në sferat e ndryshme të shoqërisë zvicerane: arsimore, profesionale, sociale, kulturore …

 Mirëkuptimi ndërkulturor dhe bashkëjetesa paqësore.


KUSH JEMI NE?