L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë



Nga Isni Idrizi


Më 13 mars 2016 për nder të festave tona kombëtare shkolla shqipe nga Lozana organizoi një manifestim të mrekullueshëm shkollor në të cilin morën pjesë si mysafirë edhe nxënësit nga shkollat shqipe të Rolit, Morzhës, Nionit dhe Avanshës.



























Edhe kësaj radhe nxënësit, mësimdhënësit dhe aktivistët e shkollës shqipe nga Lozana nuk i harruan festat tona kombëtare pa i festuar me një program të veçantë shkollor. Kësaj feste nuk prituan t’i bashkëngjiten as shkollat shqipe të mësimit plotësues që veprojnë në Rolle, Morges, Nyon dhe së fundi edhe në Avanches.ër nder të 17 Shkurtit – Dita e Pavarësisë së Kosovës dhe 7 Marsit – Dita e Mësuesit më 13 mars 2016 në sallën e madhe “Grand-Vennes” të Lozanës u mblodhën mbi 400 mysafirë, kryesisht prindër dhe të afërm të nxënësve që vijojnë mësimin e gjuhës amtare këtu në Lozanë dhe rrethinës e saj. Frika se mos koha e bukur me diell apo ndonjë ngjarje tjetër që mbahej atë ditë në kantonin e Vaud-it do të pengon përcjelljen e manifestimit shkollor nga ana e bashkatdhetarëve tanë qe e kotë. Në fund të manifestimit, kur edhe u dha filmi i shkurtë Emi, Imi, Remi, u pa se salla ishte përplot e mbushur me mysafirë sa që nuk kishte vende të mjaftueshme për përcjelljen e manifestimit ulur.

Por atë që e bënë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe aktivistët e shkollës shqipe këtë ditë në Lozanë, nuk qe interesante për mjetet tona të informimit që veprojnë këtu në Zvicër. Asnjë përfaqësues i tyre nuk ishte në manifestim për të përshkruar këtë ngjarje. Se çfarë ngjarje më të rëndësishme kanë përcjellë atë ditë vetëm ata e dinë. Apo ndoshta janë mësuar që hapësirat e tyre për informim t’i mbushin duke qëndruar në zyre apo shtëpi dhe të tjerët t’ua sjellin informatën? Më ngelë vetëm të shpresoj se nuk ka qenë nënçmimi i rëndësisë së kësaj ngjarjeje që i ka penguar ata të vijnë.


Por, nëse mjetet e informimit munguan, përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë (përfaqësuar nga zonja Eliverta Radomi, këshilltare dhe e ngarkuar për çështje konsullore) dhe Kosovës (përfaqësuar nga zoti Ramadan Avdiu, konsull gjeneral në Gjenevë) ishin të pranishëm në sallë. Të njëjtit edhe e patën rastin t’i përshëndesin të pranishmit me disa fjalë urimi dhe përgëzimi për festat dhe për mënyrën e organizimit të manifestimit shkollor. Një përshëndetje të shkurtë ua drejtoi mysafirëve edhe koordinatorja e LAPSH “Naim Frashëri” për kantonin Vaud, zonja Merita Azemi.






















Si zakonisht manifestimi filloi me këndimin e himnit kombëtar dhe dëgjimin e himnit të Kosovës nga të gjithë nxënësit pjesëmarrës në manifestim. Siç dihet, në manifestimet shkollore që mbahen në Lozanë nuk mbahen fjalime, por në vend të tyre kësaj radhe ishte recitimi i poezisë “Hakërrim” të shkruar në vitin 1942 nga Ali Asllani, që për çudi nëse nuk do ta dinim datën e krijimit të saj do të mendonim se kjo poezi i është kushtuar gjendjes shoqërore e ekonomike në të cilën jetojnë shqiptarët sot. Recitimi i kësaj poezie nga Gëzim Rexhepit, nxënës i të ciklit të lartë të shkollës shqipe në Lozanë ishte mbresëlënës.


        Risi në prezantimin e këtij manifestimi ishte pjesëmarrja e ish nxënësve të shkollës shqipe nga Lozana si moderator të tij. Çdo pikë e manifestimit është prezantuar nga moderatorë të ndryshëm: një ish nxënës (tani studentë apo gjimnazist) dhe një nxënës që është duke vijuar mësimin plotësues në gjuhën amtare. Të njëjtit kanë dhënë edhe kontribut në organizmin e manifestimit si dhe në realizimin e filmit të shkurtë që u dha në fund të manifestimit.























      Në vijim të manifestimit u paraqitë kori i nxënësve të shkollës shqipe ARTA nga Lozana. Nën udhëheqjen e mësueses Shpresa Idrizi ata kënduan një potpuri prej këngëve të zgjedhura enkas për këtë manifestim.



Kësaj radhe nxënësit e ciklit të ulët të shkollës shqipe në Coteau-Fleuri të Lozanës, të udhëhequr nga mësuesja Shpresa Idrizi, na u paraqitën me një program tejet interesant dhe të përshtatshëm për moshën e tyre. Ata kënduan dhe luajtën me këngët : Shoqe-shoqe, Po shëtisim nëpër pyje, Zilja e shkollës, Fjolla bore, Ylli vogël, Mullixhi ti mos fle, Kur të jesh i lumtur ti, Nëna pite ka gatu dhe Hu-lu-la-ja shkojmë te daja. Këtyre nxënësve iu bashkëngjitën edhe tre nxënës nga shkolla shqipe në Rolle. Kjo paraqitje e tyre u pritë shumë mirë nga të pranishmit në sallë me duartrokitje si gjatë prezantimit ashtu edhe në fund të shfaqjes së tyre.





















Në skenë u paraqitën edhe nxënësit e lagjes Prélaz të Lozanës ku mbahet mësim i kombinuar (cikli i ulët dhe i mesëm) nga mësuesja Hasime Nishori. Programi i tyre përbëhej nga recitimi i një poezie, këndim i një kënge dhe luajtjes së valles së njohur “Vallja e Rugovës”.























Ish nxënësit e shkollës shqipe pos me moderim, organizim dhe role në film në këtë manifestim u paraqitën edhe me një pikë të gjimnastikës artistike. Motrat Marigona dhe Besjana Iseni, ish nxënëse të shkollës shqipe në Rolle e tani studente, e mahnitën publikun me paraqitjen e tyre të bukur dhe shumë mirë të sinkronizuar duke kërcyer në ritmet e muzikës bashkëkohore.

























Sivjet, pas disa viteve ndërprerjeje, është rihapur edhe shkolla shqipe e mësimit plotësues në Avenches. Për këtë manifestim, nxënësit Dreni dhe Albi e prezantuan këtë shkollë me paraqitjen e tyre duke recituar bashkërisht një poezi të zgjedhur. Të shpresojmë se vitin e ardhshëm do të kemi rastin të shohim një paraqitje me më shumë nxënës nga kjo shkollë.






Në programin e sotëm festiv morën pjesë si mysafirë edhe shkollat shqipe të mësimit plotësues që veprojnë në Rolle (mësuesja Burbuqe Ahmetaj), Morges (mësuesja Hajrie Alidemi) dhe Nyon (mësueset Merita Ajeti dhe Minavere Krasniqi) të kantonit Vaud. Ata, të veshur bukur me veshjet e tyre kombëtare nga viset e ndryshme të trojeve tona, u paraqitën në skenë për të recituar, kënduar apo vallëzuar. Më poshtë janë dhënë disa fotografi që paraqesin disa momente nga pjesëmarrja e tyre në manifestim.































































         Ashtu siç ishte paralajmëruar më parë në fund të manifestimit u shfaq filmi Emi, Imi, Remi, ... i realizuar nga shkolla shqipe në Lozanë me një skenar të përpunuar sipas librit me të njëjtin emër të autorit Mahir Mustafa, ish koordinator i përgjithshëm i LAPSH “Naim Farshëri” në Zvicër. Në film rolet i luajnë ish nxënësit dhe nxënësit e tashëm që kanë vijuar e vijojnë rregullisht mësimin në gjuhën shqipe në Coetau-Fleuri të Lozanës. Kameraman dhe udhëheqës teknik është zoti Luli Imeri ndërsa realizator i filmit zoti Isni Idrizi. Filmi u përcoll me vëmendje të madhe nga të gjithë të pranishmit në manifestim dhe për të u dhanë mendime shumë të mira pas shfaqjes së tij.


    

    




       Si çdo herë manifestimet tona shkollore mbarojnë duke kënduar të gjithë nxënësit këngën “Shkolla Shqipe” që vlerësohet si “himni” shkollës shqipe të mësimit plotësues këtu në Lozanë.

Manifestimin e mbyllën të njëjtit moderatorë që edhe hapën atë me fjalët: të punojmë më tepër që këto lloj manifestimesh të festohen përgjithmonë nga ne, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm këtu në mërgim dhe gjithandej ku jetojnë e punojnë bashkatdhetarët tanë.  










































SHKOLLA SHQIPE MBAJTI MANIFESTIM MADHËSHTOR NË LOZANË