Intervista


 L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë


Intervista

me Profesor

Dr. Dr. Basil Schader


 NJË LIBËR ME VLERA PËR MIQËSINË SHQIPTARE - ZVICERANE


“I dashur mik!... Përzemërsisht”, libër nga Prof dr dr Basil Shader


Prof dr dr Basil Schader, një personalitet i shquar zviceran, Mik i madh i Shqipërisë dhe i Kosovës, i gjithë shqiptarëve, ndër të tjera  njohës i didaktikës metodiste, mësimdhënës, drejtues i projekteve arsimore, autor librash, përkthyes letrar i shqipes dhe hartues tekstesh për nevojat e mësimit plotësues shqip në Zvicër, po edhe për mësimin e shqipes në shkollat e Kosovës, si studiues i shquar dhe i përkushtuar në fushën e sociolinguistikës që lidhet me problemet dygjuhësore, i njohur përmes mjaft botimeve e ndihmesave pedagogjike, ndryshe nga më parë doli para lexuesve me një libër me kujtime për mikun e tij shkrimtarin e njohur nga Kosova Arif Demolli.


Në fakt libri është një letërkëmbim elektronik mes prof Schaderit dhe shkrimtarit Arif Demolli. Në vitin 2009 zoti Basil ka filluar të përkthej romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie “e shkrimtarit Demolli si rezultat i punës së shkëlqyer libri vjen para lexuesit zviceran. Dhe, qysh atëherë, ata janë bërë edhe miq të dashur, kanë shkuar edhe në shtëpi tek njëri tjetri, herë në shtëpinë e zotit Arif Demolli në Prishtinë e në fshatin Murrizaj të Prishtinës, por dhe zoti Schader i ka pritur së bashku me bashkëshorten zonjën Erica disa herë në shtëpinë e tij në Zvicër, duke konkurruar mrekullisht me bujarinë e mikpritjen e tij zvicerane që sipas z. Arifi na e kalon mikpritjen shqiptare.


Albanologu zviceran këtë veprimtari me mikun e tij nuk e ka parë thjesht në rrafshin personal, por e ka lidhur me gjuhën shqipe me sqarimin e fjalëve dhe frazeologjive të shqipes gjatë përkthimit. “I dashur mik..... Përzemërsisht “ një libër me vlera për miqësinë shqiptare zvicerane, fisnikëria dhe dashuria e përshkruajnë fillim e mbarim këtë libër-letërkëmbim.



Miqësia e çiltër përshkruhet edhe nga ana e shkrimtarit Arif Demolli kur ishte gjallë në intervistën datë, 20.10.2010 (www.zemrashqiptare.net)


Këto ditë del nga shtypi romani juaj “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie “ i përkthyer në gjermanisht nga albanologu zviceran Basil Shader si ndiheni tash?


Arif Demolli; Mirë, por jam në një moshë kur nuk mund të jem më entuziast. Nga natyra, nuk gëzohem shumë për asgjë. Mirëpo nuk do të isha i sinqertë të mos e pranoja se më ka ardhur shumë mirë që zotit Basil Shader, si një joshqiptar, pa më njohur fare, i ka pëlqyer romani im dhe ka shfaqur dëshirën të më njihte dhe ta përkthente.


Kështu ky roman na ka ofruar shumë, jemi bërë miq të jashtëzakonshëm... Duhet të them se ai ka bërë një punë kolosale, sepse romani ka një begati të tillë gjuhësore, ka një fond aq të madh fjalësh e shprehjesh frazeologjike, të cilat po dalin me të madhe për çdo ditë nga përdorimi i përditshëm, me një fjalë, po vdesin para hundëve tona. Shumë prej tyre nuk mund të gjenden në asnjë fjalor as njëgjuhësh, as dygjuhësh. Përkthimi i këtij libri ishte një aventurë e vërtetë, së cilës besoj se zoti Basil Shadër i ka rënë në fund me shumë sukses. I lumtë! Zoti ia shpërbleftë punën që ka bërë dhe po bënë për gjuhën dhe për kulturën tonë!”


Mësuesi, shkrimtari dhe gazetari Arif Demolli i lindur më 2 maj 1949 në fshatin Murrizaj, të Prishtinës vdiq në Prishtinë, më 6 mars 2017. Ai ka shkruar kryesisht prozë, për fëmijë e për të rritur, la mbi 30 vepra letrare. Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ai mori vlerësime edhe për veprat tjera. Veprat e tij janë ribotuar edhe në Tiranë.


Zoti Schader  realizoi këtë libër pikërisht në shenjë përkujtimi e nderimi të miqësisë dhe figurës së tij.


 Libri është prezantuar në Seminarin e13-të për mësimdhënës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, organizuar nga dy Ministritë e Arsimit e Shqipërisë dhe Kosovës, mbajtur në Gjakovë /1-4 gusht 2017/, është shpërndarë falas.


Nexhmije Mehmetaj



Përseri së bashku për të mësuar gjuhën shqipe



Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër vazhdon me vendosmëri mbështetjen e komunitetit shqiptar për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve.


Shkolla shqipe hapi dyert diku më 14 gusht (Argau) diku më 1 shtator u mblodhëm përsëri së bashku për të vazhduar mësimin e gjuhës shqipe. Mësueset dhe mësuesit e shkollave shqipe  ftojnë fëmijët shqiptarë të marrin njohuri të reja përmes gjuhës  shqipe, mbi gjuhën, historinë, gjeografinë e atdheut, artin dhe kulturën shqiptare.


Në faqen e internetit www.lapsh.ch  kryetari i LAPSH-it Nexhat Maloku dhe mësues pranë kësaj shoqate u ka dërguar urimet më të përzemërta fëmijëve dhe prindërve për nisjen e këtij viti të ri shkollor (2017-2018). Thekson edhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët tanë si dhe përkushtimin e punës mësimore që bëhet nga mësuesit/et.


Në ketë pikë dua të përmend përpjekjet që bëjnë edhe mësueset tjera të  përkushtuara dhe më të reja pranë LAPSH-it. Pyetje: Kur ishte dita e parë e mësimit shqip në këtë viti shkollor? Si është pjesëmarrja e fëmijëve në këto shkolla? Cili është mesazhi juaj për prindër shqiptarë?

Fitnete Balaj, mësuese në Kantonin Aargau.


Viti i ri shkollor ka filluar më 14 gusht në fshatin Menziken. Ndonëse pak fëmijë u ulën në bankat e shkollës së mësimit plotësues në krahasim me numrin e madh të fëmijëve shqiptarë në ketë komunë (përbërja 32.04 % fëmijë zviceranë - gjermanisht folës dhe 31.40 % shqipfolës, % e mbetur janë nacionalitete tjera). Do të mundohem të kalojmë sa më këndshëm, duke ua mësuar fëmijëve si të shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën e të parëve tanë duke shkruar me shkronjat tona saktë e bukur. Rëndësia e mësimit të gjuhës amtare për veç ruajtjes së identitet ka rëndësi edhe për suksesin shkollor të fëmijës. Pedagogu dhe albanologu i njohur zviceran dr dr Basil Schader në studimet e tij thotë:"Fëmijët qe ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe  janë më suksesshëm edhe në mësimin e rregullt”. Shpresoj që edhe prindërit shqiptarë do të ndërgjegjësohen për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, aty ku janë hapur shkolla mos të mungojnë fëmijët. Shfrytëzoj rastin t’i lutem Qeverive Shqiptare, që mos të na lënë vetëm në rrugën e mundimshme të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe larg atdheut.


Në Kantonin Jura - Shkolla shqipe sikurse të tjerat vazhdon përpjekjet e saj dhe mundohet të mbaj të gjallë dëshirën e fëmijëve për të mësuar shqip. Dita e parë e mësimit ishte 1 shtator në Delemont një ditë e cila shpalosi aq bukur mbresat që iu lanë fëmijëve pushimet në Atdhe, shëtitjet në vendet e tyre të dashura, njohjet e reja që kishin bërë, lojërat e këngët e reja që kishin mësuar. Veprimtaria vazhdoi edhe ishte më bukur kur nxënësit vendosën fotografinë e Skënderbeut në faqen e parë të fletores së tyre. Në bankat e shkollës sonë u ulën 19 nxënës të rinj: Alina Hajdini, Arijan Dobruna, Andi Ajeti, Loris Beqiri, Ilir Beqiri, Donika Pjetraj, Duresa Bajrami, Elona Bajrami, Bleron Berisha, Eliesa Ramabaja, Andi Hoxhaj, Aurela Mehmetaj, Urtesa Hoxhaj, Rinesa Hoxhaj, Anisa Rabushaj, Elvana Kuqi, Diana Kuqi, Melisa Fetahaj, Amina Fetahaj.

     

Mjerisht për shumicën e prindërve shqiptarë në Zvicër arsimimi në gjuhën shqipe nuk çmohet apo nuk vlerësohet sa duhet. Gjuha shqipe është një pasuri për fëmijët tanë, pasi që në këtë gjuhë flasin prindërit, folën gjysh e gjyshe,  të parët tanë që nga lashtësia.

Shqetësimi është se çdo vit po bie numri i fëmijëve nga shkollat e mësimit shqip. Mbas pak vitesh sa fëmijë do të flasin dhe do të shkruajnë shqip?Mbas pak vitesh do të kërkojmë ndonjë fëmijë shqiptar që do të dijë të lexojë shqip. Natyrisht për këtë janë fajtor vetë shqiptarët dhe s’na ka fajin askush. Çfarë faji kanë fëmijët? Është turp apo nder për këta njerëz që e injorojnë gjuhën e vet. Së fundi, ne besojmë se dy shtetet tona Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë që Mësim plotësues i gjuhës shqipe të merr kahe institucionale me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë gjuhësore-kulturore të fëmijëve tanë që po lindin dhe rriten larg atdheut.


Delemont, 21.09.2017                                    

Nexhmije Mehmetaj,

mësuese në Kantonin Jura

Intervista me Abas Fejzullahun

Gjuha shqipe është prejardhja e identitetit tonë


Nga Nexhmije Mehmetaj

Tregimi i plotë për mësuesin veteran z. Abas Fejzullahun nuk arrihet të shkruhet ndoshta, as dhe me një libër të tërë, ndërsa sot ne po bëjmë vetëm një paraqitje të shkurtër, për të krijuar një përshtypje rreth tij tek të gjithë ata që nuk e kanë njohur nga afër. Ishte i detyruar që gjithë jetën ta kalonte nën vëzhgimin dhe shtrëngimin e regjimit serb. I cenuan lirinë e izoluan e burgosën por nuk mundën t’ia zbehnin fisnikërinë dhe krenarinë e familjes dhe të vendlindjes. Pasioni i mësuesisë e bëri fatlum në jetë duke përjetuar gjatë karrierës pedagogjike kënaqësinë dhe lumturinë magjepse të orëve të mësimit. Ai, duke e parë veten të kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme u detyrua që të marr rrugën e mërgimit. Gjithsesi, personaliteti dhe karakteri i z. Abas u shpalos me dinjitet edhe jashtë atdheut. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptarë në Zvicër. Kam pasur nderin të bëjë një intervistë me këtë veprimtar të devotshëm.

Zoti Abas cila është vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej saj në kujtesën tuaj?

A.F.:Vendlindja ime është fshati Shupkovc – Shala ë Bajgores, bashkia e Mitrovicës së Kosovës së sotme hallemadhe, apo e Dardanisë së lashtë Pellazgjike, më vonë Iliria… e njohur me pasuri  e bukuri të shumta natyrore mbi dhe nëntokësore,  me xehe dhe Xeheroren e  njohur të Trepçës qysh nga kohët e lashta, shumë e lakmueshme për pushtues të ndryshëm, deri ne ditët e sotme…!

Kam lindur më 15. 04. 1945.( në dokumentacionin me shkrim ekstraktin e lindjes dhe dokumentet tjera është shënuar viti 1946, pasi që në vitin 1945 baba im ka qenë i marrur nga  parizanet, derguar gjëja për frontin e Sremit me të njejtin qëllim siç ka nddhur  me dërgimin e mija shqiptarëve për në kasaphanen e Tivarit dhe kjo është arsyeja e regjistrimit një vit më vonë.). U rrita nën kujdesin e prindërve, të dashur e të mrekullueshëm,  nënës, Zarife Trepça babës Rrahim (Nuradin) Fejzullahi, si dhe gjyshës Syleme e babagjyshit Nuradin, kujtimet për ta janë të shumta e të veçanta, në kushte dhe rrethana  të rënda nënë pushtimin serb, në skamje dhe mjerimin e përjetuar…

Si nxënës i moshës 10 vjeçare, më kujtohet fare mirë aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve i njohur si aksioni i pushkëve. Keqtrajtimet që bëheshin ndaj shqiptarëve me programe të veçanta sipas këshillave dhe elaborateve të çetnikëve serb si: Ilia Garashanin, Vaso Qubrilloviq, Ivo Andriq (Nobelist për letërsi), Antonie Isakoviq, Aleksandar Rankoviq, Dobrica  Qosiq e deri tek krimineli Sllobodan Milosheviq, secili prej tyre udhëheqës  e përgjegjës, në drejtime të caktuar shtetërore, të cilët kanë vepruar sipas udhëzimeve, këshillave, programeve dhe elaborateve të punuara nga: Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Akademia Ushtarake, në bashkëpunim dhe veprim të vazhdueshëm me Kishën Orthodokse Serbe,  jetësuar në praktikë nga OZN-a  famëkeqe OZNA -Mbrojtja e Përgjithshme e Popullit, më vonë vazhduar nga UDB-ja – Sigurim i Brendshëm Shtetëror  ku në vazhdimësi keqtrajtoheshin shqiptarët vendor  në trojet e tyre autoktone, por të pushtuara nga sllavët ardhacak … !

Këtyre keqtrajtimeve, si ka shpëtuar as babai im Rrahim Fejzullahi.

Pasojat që nga viti 1968-1993:

a) Mësues pranë sh.f.”29 Nandori” në fshatin Bresanë të Opojës, bashkia Dragashit ( Sharrit).

 Në bazë të Vendimit  nr.376/1 të datës 17.XII.1968 të Pleqësisë së Shkollës sipas udhëzimeve dhe direktivave të LKJ-së, të fshatit Bresanë, të shkollës dhe Bashkisë në Dragash, menjëhere pas kundërshtimeve (demostratave të muajt brymor (nëntor) të vitit 1968, pasi që kam munguar në vendin e punës ato ditë kur kanë ndodhur kundërshtimet-demostratat) më largojnë nga puna si nacionalist, irridentist dhe kundërshtar i parimeve të LKJ. I dënuar edhe me burg për kundërvajtje në bazë të vendimit Regj.nr. 231/69 të datës  2 .04.1969.
b). Sipas Aktvendimit të datës 30.04.1981 të SKPP( Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme) të Prishtinës, jam izoluar në burgun e Lypjanit. Sipas Vendimit të Sh F.”Mosha Pijade » në Sreckë të datës 4.IX.1981 gjithnjë sipas udhëzimeve dhe porosive të aktivit të LKJ-së të Shkollës dhe Komitetit LKJ-së të Prizrenit largohem nga procesi mësimor, si i papërshtatshëm moralo-politikisht, për mësimdhënie…

c). Më pas u gjenda si njehsues i normes në Industrin e Tekstilit “PRINTEKS” në Prizren në njësinë punuese të Vektarisë). Izolimi dhe paraburgimi (20-III-1989 –19-IX-1989) sipas nenit famkeq  të LPJ-së 114.Sipas Aktvendimit nr.277/1 të datës 21.03.1989 të SKPB Prishtinë dhe PPQ në Prizren PP.nr.84/89 të datës 26.05.1989. Pas të cilave  kanë qëndruar  të njejtet organe te LKJ të sipërpëmendura dhe këta persona: Dragan Markoviqi, sekretar i komitetit të LKJ në Prizren, Sfetisllav Dolasheviqi,funksonar i lartë në Krahinë, i cili ka vepruar sipas kërkesave dhe propogandës të organizatës së LK të shkollës fillore “Mosha Pijade” në Sreckë me sekretarin e aktivit të LK. Sllobodan Zernzeviqit etj.

ç).  Nga viti 1990-1993 Themelimi i Sindikatës së Pavarur në IT. “PRINTEKS” në PRIZREN (në fillim Sekretar e më vonë Kryetar i Sindikatës në IT.”Printeks”në Prizren, në bashkëpunim me BSPK–së & Sekretar i Këshillit Koordinues të Bashkimit të Sindikatave të Prizrenit.Në rubrikën BALLAFAQIME në ZËRIN E RINISË më, 5 tetor1990 është publikuar artikulli im: KUSH JANË VARRËMIHËSIT E “PRINTEKSIT”. Si dhe disa  APELE  në Kosovaren, Rilindje etj. në emër të SHH”FNF”, Shoqatës Humanitare “FAMILJA  NDIHMON  FAMILJEN” në trojet  etnike dhe mërgatë 1990-1996, ideator, themelues dhe përgjegjës për zhvillimin e veprimtarisë… në bashkë- punim me këshillatë e themeluar për bashkërenditjen e veprimtarisë në terren në trojet etnike dhe kurbet…

Aktiviteti Institucional:

I caktuar nga baza, për Bashkinë e Prizrenit dhe Sharrit në organizimin e veçantë institucional të RK 44 63 (Minisstria e Mbrojtjes e R.K)

e). Nga viti 1993-1996 Kalimi në Shqipëri nga mesi i muajt Gusht i vitit 1993 deri në vitin 1996 me veprimtarinë e veçantë institucionale të 4463 (MMRK). Shpeshherë edhe kalimi në Maqedoni nga Shqipëria dhe anasjelltas me detyra të caktuara sipas  përgjegjësisë në sistemin e 4463 (MMRK).

Mëngjesi i parë në Zvicër si dhe pse erdhët?

A.F.:Mëngjesin e parë në Zvicër viti 1996 dhe javën e parë e kalova në familjen e Z. Hajredin  Çoçaj, me të cilin u njoftuam në  qelin e burgut te Qarkut në Prizren në muajin mars të vitit 1989. Erdhëm në Zvicër, për arsye se: Qëndrimi i më tejshëm në Shqipëri ishte i pa mundur.

Dita e parë e punës si mësues i shqipes, ku dhe kur?

A.F.:Gjatë muajt shtator 1998 në shtëpinë për strehimkërkues (azilant) në Ballmberg të Solothurnit,  kam mbajtur mësimin në gjuhën shqipe me një grup të fëmijeve të ikur nga lufta me familjet e tyre, sipas kërkesës së përgjegjëses  së Karitasit  Z. Helena  Gebert. Është punuar falas.

Më 2004 kam hap paralele të shkollës shqipe në Solothurn, dhe jam anëtar i LAPSH ”Naim Frashëri” në Zvicër, përgjegjës dhe bashkërenditës i organizimit të mësimit plotësues shqip në kantonin e Solothurnit dhe mësimdhënës deri më vitin shkollor 2012/2013, pas pensionimit në vitin 2011 ndihmësen time  vazhdoj ta jap për LAPSH ”Naim Frashëri” në Zvicër në detyrën e sekretarit.

Për prindërit dhe fëmijët shqiptarë që duhet të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe cili është mesazhi juaj?

A.F.:Gjuha shqipe është prejardhja e identitetit tonë. Për prindërit dhe fëmijët shqiptarë, porosia ime është: Nëse dëshirojnë që të mbesin shqiptarë edhe në kurbet, duhet patjetër që fëmijët e tyre të ndjekin rregullisht mësimin e gjuhës shqipe, të mësojnë shkrim leximin, të lexojnë libra  në gjuhën shqipe, në familje të flasin vetëm gjuhën shqipe, të përcjellin muzikën dhe programet në RTV në gjuhën shqipe.

Një veprimtari e veçantë e jetës suaj në mërgim, është Shoqata Bashkimi i Intelektualëve në Zvicër”, cili është mesazhi juaj?

A.F:Po. Që nga viti 2004 kamë qenë Sekretar i Shoqatës BISHZ, nga viti 2008 jam kryetar. Në kushtet aktuale, për bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në Zvicër prej disa vitesh, përgjegjësia individuale duhet të jetë parësore.Dëshirë dhe dashuri e veçantë e jetës sime në kurbet do të ishte sikur të jetësohej në praktik: Përfshirja e të gjithë fëmijëve  në mësimin plotësues të gjuhës shqipe që gjuha jonë të ruhet e zhvillohet brez pas brezi edhe këtu larg atdheut. Kjo detyrë i bie në radhë të parë intelektualit, i cili përveç profesionit që ka, duhet të jetë i ndërgjegjshëm, përgjegjës ndaj punës, që kryen, me vetëdije të lartë njerëzore dhe intelektuale, kuptohet edhe institucionale e kombëtare.

Dita më hidhur në mërgim?

A.F.:Dita më e hidhur në kurbet ka qenë lajmi, kur filloj shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës me dhunë nga gjenocidi serb për në Shqipëri dhe Maqedoni e jashtë në shtetet e perëndimit e më larg.

Dita më e bukur në Zvicër?
A.F.:Hyrja e Forcave të NATO-së në Kosovë më 10 qershor  1999. Në fund.

Ju falënderoj për kujtimet që më zgjuat, kujtime të cilat i ruaj edhe në marrëdhënie me shumë anëtarë e bashkëpunëtorë të mi, kudo që kam qenë.

Delemont 27.03.2017

Të dish shumë gjuhë tjera është pasuri por kur nuk e di gjuhën tënde s’ke as nder as rëndësi


Nga Nexhmije Mehmetaj


Mos të fshihemi nga vetvetja. Nuk mund të krenohemi me fjalë lavdie për lashtësinë e gjuhës sonë dhe të botojmë libra të bukur po edhe nga shkrimtarë të diasporës dhe në të njëjtën kohë prindërit nuk i çojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe. Të dish shumë gjuhë është një pasuri por kur nuk e di gjuhën tënde s’ke as nder as rëndësi. Sa shumë fëmijë shqiptarë ka në Kantonin e St.Galenit! Por, në mësimin plotësues të gjuhës shqipe shkojnë vetëm një numër tejet i vogël i tyre. Shkolla shqipe është para mbylljes. Kësaj radhe nga bashkëbisedimet e mia me mësuese po u përcjell shqetësimin e mësueses Afërdita Canaj – Maliqi, shqetësim i cili duhet të godas dhe të ndërgjegjësoi prindërit dhe tërë shoqërinë shqiptare dhe në veçanti ata që qeverisin atdheun.


 Afërdita Canaj- Maliqi ku i ka rrënjët e të parëve ?


Rrënjët i kam në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardanës së sotme. Jam e lindur në Gjilan aty ku im atë u shpërngul qysh në vitet 50 të shekullit që lëmë pas. Rrjedh nga një familje që ka përjetuar dhunën e ashpër të pushtuesit serb, burgje dhe persekutime prej tij. Këtë fakt nuk mund të lë pa përmendur. Ndër të tjera është e njohur veprimtaria e gjyshit tim Selim Canaj i burgosur politik qysh më1945, më vonë, dora serbe e burgos dhe e vranë tim vëlla Alush Canaj, atdhetar i devotshëm, shkrimtar i shquar përkundër moshës së re. Në vitet ’80 vëllai tjetër Avdush Canaj, shkrimtar i njohur i letrave shqipe, është dënuar politikisht nga gjykata ushtarake e Sarajevës. Me gjithë këto mjerime nuk e ndalëm kurrë përpjekjet për lirinë e atdheut.

Çfarë keni mbaruar – studiuar në atdhe ?

Kam mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike drejtimi klasor. Kam qenë mësuese në shkollën fillore “Selami Hallaçi” ishte një gjë e mrekullueshme. Më pas mora rrugën e mërgimit në Zvicër.

Cila ë është panorama e jetës suaj familjare ?

Po. Familja për mua është gjëja më e shtrenjtë, kam një familje të mrekullueshme dhe gjithmonë e falënderoj bashkëshortin për mbështetje.


Si ndodhi vendosja e juaj në Zvicër ?


Këtu në Zvicër punonte bashkëshorti im, unë lash vendlindjen, punën, nxënësit për bashkim familjar.


Nga cili vit filluat të jepni mësim shqip, ku sa nxënës keni?


Fillova të jap mësim shqip në vitin 2010 në qytetin e St.Gallenit. Në atë kohë kishte mbi 50 nxënës kurse tanin në pikën shkollore Spelterini kam vetëm pak (7) nxënës. E shfrytëzoj rastin të thërras prindërit. Mos të lejojnë të mbyllet shkolla shqipe.


Çfarë kujtoni nga dita e parë e shkollës larg atdheut?


Është një ndjenë e veçantë sepse të punosh me fëmijë shqiptarë larg atdheut për gjuhën është një gjë shumë e rëndësishme, shumë e madhe. I përcjell përnjëherë dashurinë për atdheun tënd dhe vetëdijen kombëtare. Të dyja do të rrezatojnë në të ardhmen.


Cilat janë sfidat dhe problemet e juaja kryesore në punën tuaj si mësuese?


Është e dhimbshme por e vërtetë se numri i fëmijëve që duan të mësojnë shqip është tejet i vogël. Kjo është tepër shqetësuese për ne.  Fajtorë janë prindërit të cilët nuk interesohen që fëmijët e tyre ta ruajnë dhe  mos ta harrojnë gjuhën shqipe. Prindërit, në vend që t’i sjellin fëmijët në shkollën shqipe i drejtojnë nëpër xhami. Unë nuk jam kundër mësimit fetar, por në radhë të parë fëmijët duhet të dinë gjuhën shqipe për të cilën është derdhur gjak për ta mbrojtur. Fëmijët shqiptarë larg atdheut çdo ditë janë para asimilimit, shkolla shqipe është një forcë kundër kësaj dukurie. Kambana po bie për këtë por nuk po e dëgjon askush. Shteti ynë,respektivisht Ministria e Arsimit, duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.


Cilat janë dëshirat tuaja në lidhje me Mësimin Plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?


Që organizimi i mësimit plotësues të shkollës shqipe në Zvicër të merret institucioni i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës. Që mësimi i gjuhës shqipe mos të mbetet në baza vullnetare por në bankat shkollore të vijnë e gjithë fëmijët shqiptarë se shkolla për ta është hapur. Aty do të mësojnë si flitet shqipja rrjedhshëm, do të mësojnë si lexohet dhe shkruhet në gjuhën e prindërve, do të mësojnë histori kombëtare, gjeografi të trojeve shqiptare dhe artin e krijuar me shekuj.


Mësuesja Ilirida Ramadani në dashurinë që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e nënës


Nga Nexhmije Mehmetaj


Ilirida Ramadani një e re e talentuar, studente e anglishtes në Universitetin e Cyrihut, mësuese e gjuhës shqipe, përfaqëson brezin e dytë të mësueseve që punojnë pranë organizimit të LAPSH „Naim Frashëri“ në Zvicër.

E njoha në mbledhjen e fundit (12. 11’16 Windisch) të mësuesve nga mbarë Zvicra ku biseduam  për atë që është bërë dhe atë që duhet të bëhet për tu mësuar fëmijëve të mërgimtarëve të shkruajnë e të lexojnë shqip, të njohin vendin e tyre në përmasa gjeografike, historike dhe artin e krijuar me shekuj.

Për të kuptuar më tepër rreth gjuhës shqipe larg atdheut zgjodha për bisedë mësuesen e shkollës shqipe në kantonin Argau.


Ilirida Ramadani ku i ka rrënjët e të parëve?

Unë vijë nga një qytezë në lindje të Kosovës të quajtur Dardanë.


Çfarë keni mbaruar - studiuar në atdhe apo ?

Në vendlindje pata kënaqësinë të jem studente në fakultetin Filologjik, dega “Gjuhë dhe letërsi angleze-mësimdhënie”, në universitetin shtetëror “Hasan Prishtina”. Aty vijova mësimin deri ne vitin e fundit, dhe mandej fillova procedurat për ndonjë transferim të mundur këtu në ndonjë universitet të Zvicrës, ku arrita te regjistrohem në universitetin e Cyrihut. E, tash me punë dhe përkushtim, shpresoj t’ia dalë mbanë.


Cila është panorama e jetës suaj familjare?


Para një viti u bekova me emrin “nënë”, gjë që më bënë tejet krenare. Pra, familja ime e ngushtë përbëhet nja unë, bashkëshorti dhe djali ynë i vogël, duke mos harruar dhe të afërmit tanë këtu në Zvicër dhe në Kosovë.


Si ndodhi vendosja juaj në Zvicër?


Pasi që im shoq ishte nga Zvicra, atëherë vet rrethanat jetësore u bënë të tilla që unë të lë atdheun, e të fillojmë jetën së bashku.


Nga cili vit filluat të jepni mësim shqip dhe ku?


Unë që prej fillimit sa erdha në Zvicër kisha një interesim të madh për të qenë pjesë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Bile, të them të drejtën, edhe në Kosovë sa kam jetuar, kam pasur një respekt të veçantë për të gjithë bashkëmoshatarët e mijë që vijonin mësimin shqip larg atdheut. Por, ja që tash nga ky vit shkollor që filloj, unë hapa dhe dy paralele njërën në Nussbaumen dhe tjetrën në Zurzach të kantonit të Argaut.


Çfarë kujtoni nga dita e parë e shkollës larg atdheut?


Ajo ditë do të jetë e skalitur gjithmonë thellë në mendjen time sepse ishte dita që më bëri të ndihem shumë krenare, kur pashë nxënësit aq të magjepsur për të filluar mësimin.


Cilat janë sfidat dhe problemet e juaja kryesore në punën tuaj si mësuese?


Unë si sfidë kryesore timen do të kem suksesin tim si mësuese, që nga suksesi im të jenë po aq të suksesshëm dhe nxënësit e mi. E sa i përket problemeve, unë do e ceki problemin kyç të të gjithëve ne mësuesve, e ky është numri tejet i vogël i prindërve që shfaqin interesim për t’i lajmëruar fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.


Cilat janë dëshirat tuaj në lidhje me Mësimin Plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër?


Unë do të isha tejet e lumtur, nëse në një të afërme të afërt, kur të fillojë ora e gjuhës shqipe, të më gjejë në një klasë të stërmbushur nga nxënësit.


PRINDËR: MOS NGURRONI ! ÇONI FËMIJËT NË SHKOLLËN SHQIPE QË TA MËSOJNË GJUHËN E NËNËS     


Nga Nexhmije Mehmetaj



Tefik Xheladini është një mësues i pasionuar në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Avenches, Kantoni i Friburgut - Zvicër. Mësuesi Tefik, errësirën e krijuar për mësimin e gjuhës shqipe në mërgim mundohet ta shpërndaj vetë. Ai ka trokitur derë më derë të bashkatdhetarëve për të regjistruar më shumë nxënës në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe por është zhgënjyer me numrin e vogël të fëmijëve që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Kam zhvilluar një intervistë me te.  
















1. Vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej saj në kujtesën tuaj?


Fillimisht ju falënderoj për intervistën. Unë quhem Tefik Xheladini, vijë nga fshati Tërnovc i Madh, komuna e Bujanovcit - Kosova Lindore. Në vitin 2002 kam mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Kam punuar në shkollë fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnovc.


2. Kur keni ardhur në Zvicër? Në vitin 2007.


3. Çfarë ju frymëzoi në hapjen e shkollës  së mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Largimi nga atdheu nuk më shkëputi nga e kaluara si mësues si njerëz që mbajnë e përcjellin brez pas brezi gjuhën e folur dhe të shkruar të një kombi. Kam vlerësuar shqetësimin e disa prindërve se fëmijët e tyre, flasin shqip por nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë në gjuhën e nënës. Vërtetë nismëtar për hapjen e shkollës ka qenë prindi Ragmi Asllani, kryetar i LAPSH-it për komunën e Avenches-ës.

4. Kur ishte ora e parë e mësimit larg atdheut dhe sa nxënës keni?


Ora e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Avenches kam filluar më 15 janar 2016. Kam 11 nxënës dhe nxënëse: Dren Osmani, Alb Shabani, Andi Bajrami, Astrit Asllani, Kushtrim Jusufi, Merlind Beqiri, Eron Amidi, Diana Sulejmani, Marigona Salihi, Eliza Hajredini, Laura Goga.


5. Na përshkruani rrugën deri te hapja e Shkollës së mësimit plotësues shqip?


Rruga deri tek hapja e shkollës ka qenë mjaft e veçantë. Nuk dinim ku të drejtohemi apo çka të ndërmarrim së pari, pasi që ishte një fushë plotësisht e re si për mua ashtu dhe për prindër. Por pasi që ishim të përkushtuar në këtë drejtim, arritëm të kontakjomë me përfaqësuesit e LAPSH-it Lausanne. Me ndihmën e tyre, e në veçanti të znj Merita Azemit, z.Hasim Hoxhës, z. Isni Idrizit e të tjerëve, arritëm të hapim një klasë. Tani që i kemi mësuar disa hapa, rruga duket më e lehtë. Fakti se për këtë vit shkollorë kemi hapur edhe një paralele të re me nxënës të ciklit fillestar, punon mësimdhënësja Arbënore Sabedini.

6. Si mendoni pse pjesëmarrja e nxënësve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe është kaq e ulët?

Për mendimin tim prindërit nuk e kanë marrë seriozisht mësimin e gjuhës amtare, në rëndësinë e shkrim-leximit në dy gjuhë. Kam dëgjuar  edhe thënie “çka i vyen të dijë të shkruaj e të lexoj gjuhën shqipe kur jeton në Zvicër”. Për mua, ky është një gabim shumë i madh. Përkundrazi, sa më shumë që ta njohësh veten dhe prejardhjen tënde, aq më shumë ka për të ndihmuar që të zhvillohesh aty ku jeton. Studimet dëshmojnë se fëmijët që dijnë 2 gjuhë janë më të zgjuar dhe janë një pasuri po për shoqërinë.

7. Çfarë porosie keni për prindërit  shqiptarë ?

Prindër : Mos ngurroni ! Çoni fëmijët në shkollën shqipe që të mësojnë si shkruhet dhe si lexohet në gjuhën e nënës. Ata do të marrin njohuri në gjuhën amtare. Fëmija që njeh mirë gjuhën e vet e ka më të lehtë të mësoj gjuhën e dytë. Përveç këtyre ata mësojnë edhe histori kombëtare, gjeografi të atdheut, kulturë muzikore dhe figurative.  Në këtë mënyrë ata kuptojnë kulturën e vet dhe forcojnë besimin në identitetin të cilin i përkasin. Duke ditur mirë gjuhën amtare ata krijojnë një urë ndërmjet gjuhës amtare që përdorin në familje dhe gjuhës që përdorin në shkollë.


INTERVISTA