L A P SH   Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" në Zvicër

 A L E V     Albanischer Lehrer und Elternverband "Naim Frashëri" in der Schweiz

 L E P A     Ligue des Enseignants et des Parents Albanais "Naim Frashëri" en Suisse

 L I G A     Lega degli Insegnanti e di e Genitori Albanesi "Naim Frashëri" in Svizzera


.................................................................................................................................................................................................................................

LAPSH - Zvicër © Të gjitha të drejtat janë të rezervuara - info@lapsh.ch - Web Design L. Hasi


Kurrikula e shkollës shqipe të  mësimit plotësues në Diasporë Plani mësimor kornizë


Intervista

me Profesor

Dr. Dr. Basil Schader

LAPSH«NAIM FRASHËRI» NË ZVICËR MBAJTI KUVENDIN ZGJEDHOR

























Nderohet figura dhe vepra e pedagogut, albanologut zviceran

prof dr dr Basil Schader


Të shtunën, më 11 mars 2017, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër festoi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Një festë e bukur me plot emocion dhe dashuri, siç janë festat e vërteta. Kur festat janë të përbashkuara më figurën e mësuesit dhe nxënësit, bëhen edhe më të bukura, sepse mbajnë fisnikërinë dhe magjinë e dijes brenda.


Në mbrëmjen festive kishte një ide tjetër e përbashkuar me festën e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, nderohet figura dhe vepra e pedagogut, albanologut zviceran prof dr dr Basil Schader, me rastin e shkuarjes në pension.


Prof. dr. dr. Basil Schader, është doktor i Universitetit të Cyrihut (Zvicër) dhe të Tiranës, njëri ndër pedagogët e fushës së arsimit zviceran, autor i sa e sa veprave nga praktika didaktike e metodike. Një figurë e shquar në botën shqiptare i lidhur rreth arsimit si në Shqipëri, Kosovë dhe diasporën shqiptare në Zvicër.


Të flasësh për Shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër apo gjetiu në Evropë nuk mund të mos flasësh për personalitetin e shquar, fisnikun shkencor të prof dr dr Basil Schader-it, për ndihmën e çmuar që i dha tingëllimit dhe mësimit të gjuhës shqipe jashtë atdheut tonë në ruajtje të identitetit kombëtar.


Ne mësuesit shqiptarë të ardhur në Zvicër kryesisht në vitet ’90 të shekullit që lëmë pas, nga një vend i vogël dhe i robëruar siç ishte Kosova atëherë, por me dëshirën e madhe të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezi i ri hapem Shkollat  shqipe me mësim plotësues të gjuhës shqipe.  Shkolla me mësim plotësues janë hapur edhe nëpër vende tjera evropiane si në Austri, Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë, Suedi etj.. Me këto institucione shkollore pa “kulm” ka qenë dhe mbetet i lidhur profesori ynë i nderuar Prof Basil Schader. Ai ka një meritë të çmuar në zhvillimin e këtij arsimi u bë mësues i mësuesve shqiptarë. Veprimtaria e tij fillimisht është e lidhur me librin ”Shqip”, Fjalorit “Ura e fjalëve” me mbajtjen e Seminareve për mësimdhënës, Konferencave për gjuhën shqipe etj. .


Nën drejtimin shkencor pedagogjik të prof Basil Shaderit është realizuar Projekti (2009-2012) “Tekstet mësimore për shkollën shqipe të mësimit plotësues në diasporë“ në bashkëpunim me MASHT Republikën e Kosovës që paraqet frytet e 19 teksteve shkollore nga Para-abetarja, Gramatika dhe Libri i letërsisë deri tek Historia dhe Trojet shqiptare si dhe arti dhe Kultura shqiptare. Këto tekste përdorën në Shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër dhe gjetiu në Evropë.


Nën kujdesin e Prof B. Shaderit është realizuar Projekti po aq i rëndësishëm “Doracak për mësues/e” që përfshinë serinë e 6 teksteve me “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”. Në këto projekte përmes bashkëpunimit disa vjeçare punuan mësimdhënës/e të dalluar të mësimit plotësues, në hartimin e teksteve shkollore si burim dijesh për atdheun.


Veç kësaj me emrin e prof dr dr  Basil Schader-it është e lidhur tradita albanistike në Zvicër. Me gjithë mungesën e një institucioni që do të merrej në mënyrë të drejtpërdrejtë me albanologji, B. Schader arriti të krijojë albanologjinë zvicerane, e cila do të japë gjithnjë e më shumë kontribute të rëndësishme në studimet e shqipes. Këtë punë ai e bëri në kuadër të studimeve në fushën e shkencës sociolinguistike sidomos në aspektin e kontaktit të shqipes me gjermanishtes në Zvicër. Studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër” përfshin 473 faqe.


Tubimi u zhvillua në mjediset e Restorantit « Glattbrugg” në Cyrih. Ceremonia filloi në orën 19.00 e konceptuar në formën e një sesioni vlerësues me referate, fjalime, falënderime dhe me dhënie Mirënjohjesh. Gjithashtu e shoqëruar nga pjesa artistike muzikore me këngëtaren e shquar nga Prishtina Shpresa Gashi.


Përveç mësimdhënësve, prindërve, morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, zoti Nuhi Gashi dhe znj Shyhrete Kastrati, MD e Republikës së Kosovës si dhe z. Skënder Nikoliqi nga Qendra për Arsimim dhe Këshillim të Emigrantëve me seli në Basel të Zvicrës.

Të ftuarit e nderit: prof dr dr Basil Schader dhe prof dr Naxhi Selimi, ShL Pedagogjike të Cyrihut (Zvicër).

Mësues nga vende më të largëta që shërbejnë ndër vite në Shkollat e mësimit të gjuhës së bukur shqipe në Gjermani si: Rifat Hamiti, Sami Thaçi, Nexhmije Hamiti dhe Hazir Mehmeti -Austri. Pjesëmarrja në këtë tubim ishte e madhe. Kjo në sajë të kujdesit të jashtëzakonshëm të mësuesit Nexhat Malokut, i cili kishte punuar me përkushtim për përgatitjet e këtij organizimi shumë të suksesshëm.


Manifestimin e hapi z. Nexhat Maloku, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, i cili mbajti edhe referatin kryesor për figurën dhe veprën e tij.

Mbrëmja bëhet edhe më e rëndësishme kur lexohet urimi plotë mall e respekt drejtuar prof dr dr Basil Schader nga prof dr Gjovalin Shkurtaj, Akademik i rrallë, të gjithë u ndejmë krenar!


Në nderim të këtij autori Ndue Sinishtaj nga Lucerni kishte dërguar  një poezi kushtuar prof Basil  Schader-it, me një stil fare të kulluar; shumë i shndritshëm. Ndër referuesit tjerë qenë Hazir Mehmeti dhe Rifat Hamiti

Prof Schader në fjalën e tij ka vlerësuar shumë këtë organizim, shprehu entuziazëm për bashkëpunimin e ngushte me mësimdhënës edhe në të ardhmen.


” Unë u jam shumë mirënjohës dhe ju faleminderit të gjithëve nga zemra për konsideratat e shprehura ndaj meje në ketë mbrëmje të bukur tipike shqiptare, siç i dua aq shumë. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar; asnjëherë nuk do të kisha pritur që të nderohem kaq shumë. Lidhur me meritat fare nuk më takojnë mua, por po ashtu juve të gjithëve, të cilët më keni përkrahur dhe ndihmuar në angazhimet e mia dhe që jeni bërë miq për tërë jetën. Gjithashtu falënderoj të gjithë ata që me referatet e tyre kujtuan dhe vlerësuan punën time, si dhe për kontributet e të gjithë pjesëmarrësve!” tha ai ndër të tjera.


Në përfundim bashkëshortëve Basil dhe Erica Schader për kontributin e dhënë në përhapjen e dijes për shqipen dhe shqiptarët në Zvicër u dhanë Mirënjohje.


Anëtarët e Lidhjes e falënderuan Profesorin e nderuar Schader për gjithçka që bëri për arsimin dhe kulturën shqiptare, që brezi ri të ruaj gjuhën, identitetin kombëtar dhe lidhjet me atdheun.


Delemont, 16. 03.2017                                 

Nexhmije Mehmetaj


LIDHJA E ARSIMTARËVE DHE PRINDËRVE SHQIPTARË «NAIM FRASHËRI» NË ZVICËR MBAJTI KUVENDIN ZGJEDHOR


Nexhat Maloku u rizgjodh kryetar


Të dielën, më 20 maj 2018 në Lagental , Bernë, në Zvicër u mbajt Kuvendi zgjedhor i LAPSH  me praninë e mësimdhënësve dhe prindërve shqiptarë.


Shkolla shqipe në Zvicër ka formuar një traditë, shkollë tashmë në vitin e 28 të jetës së saj, shkollë tashmë me një histori të vetën, që lidhet me gjuhën e nënës, me fjalën e artë shqipe, atë fjalë që e ka mbledhë si bleta nektarin lule më lule, Naim, Asdreni, Pashko Vasa, Fishta, Kadare ...


Kuvendin e hapi kryetari Nexhat Maloku, mësues në Cyrih. Punimet e kuvendit i drejtoi z. Abas Fejzullahu, sekretar.


Në raportin e punës Nexhat Maloku veçoi disa nga veprimtaritë e shkollës, vlerësoi punën e përkushtuar të mësimdhënësve që tashmë në kuadër të LAPSH -rë numëron 65 mësues/e që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Vlerësoj bashkëpunimin zyrtar të Lidhjes me organet arsimore  të Zvicrës dhe Kosovës. Mësimi plotësues zhvillohet në klasat e shkollës zvicerane janë 133 klasë, fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin shqip janë 1798. Mbajtja e Seminareve për mësimdhënës, Konferenca për Mësimin plotësues, Garat e Diturisë, Mbrëmje festive me rastin e 7 Marsit- Dita e Mësuesit etj. Synimi ka qenë që nëpër mes këtyre veprimtarive jo vetëm të ruajmë identitetin tonë por dhe të  njohim të tjerët më mirë me gjuhën,  historinë dhe kulturën tonë me trashëgimin që kemi sjell nga atdheu. Një formë e mirë për të u integruar me dinjitet në shoqërinë zvicerane.


Në kuvend u theksua problemi kyç që në vazhdimësi e ka shoqëruar mësimin plotësues është numri i vogël i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip. Ne me organizimin tonë u kemi dhënë mundësinë që të fëmijët ta ruajnë, ta kultivojnë, ta mësojnë gjuhën shqipe.


Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare duke e vendosur çështjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe ndër të parat, ndonëse është nënshkruar Marrëveshja për Mësimin Plotësues në  diasporë mes dy shteteve shqiptare,  presim rrugën e zgjidhjes institucionale.


Punimet e kuvendit i nderuan me praninë e tyre: Zoti Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë. Zoti Mustafë Xhemajli, nga Ambasada  e Republikës së Kosovës, z. Nuhi Gashi, përgjegjës për koordinimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë – MASHT dhe Abdyl Lipoveci zyrtar nga Ministria e Diasporës.


Në kuvend me shumicë votash u zgjodh kryetar i LAPSH-rë për Zvicër  përsëri Nexhat Maloku, nuk pati kundër kandidat.


Një e veçantë e këtij kuvendi është dhënia e mirënjohjes mësueses Saime Zeka nga MASH e Republikës së Kosovës.


Kuvendi që pati një rrjedhje të qetë e të natyrshme pune  filloi në orën e 14.00 dhe mbylli punimet  në 16.00. Qenë të pranishëm përfaqësues të shkollave ku zhvillohet mësimi shqip si: Arau, Basel Land, Bern, Cyrih, Friburg, Glarus, Gjenevë, Jura, Schaffausen, St. Gallen, Thurgau, Vaud, Obwalden. Të pranishëm ishin 51 persona anëtarë të LAPSH-it dhe mysafirë.


Në fund të punimeve, Kuvendi uroj komunitetin shqiptar në Zvicër të bëjmë çmos secili nga ne që ta mësojmë gjuhën tonë të bukur, ta ruajmë atë, ta flasim atë, ta shkruajmë atë sepse ne po humbim nga dita në ditë gjuhën tonë, që historia na tregon se e kemi trashëguar brez pas brezi.


Delemont, 22.05. 2018                                                                   

 

Nexhmije Mehmetaj


NË DITËN E 7 MARSIT DITËS SE MËSUESIT


























KUVENDI I LAPSH-it “NAIM FRASHËRI” NË ZVICËR KËRKON INSTITUCIONAILIZIMIN E SHKOLLËS SHQIPE TË MËSIMIT PLOTËSUES




Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Zvicër mbajti Kuvendin vjetor të punës më10.11. 2019 në Spreitenbach- Argau.


Në të morën pjesë 41 mësues, mësuese të gjuhës shqipe e veprimtarë të kësaj shkolle që flasin e shkruajnë shqip e që dëshirojnë që edhe fëmijët e tyre të flasin, shkruajnë e lexojnë shqip.


Kishin ardhur përfaqësues të Këshillave Kantonale nga ku organizohet mësimi shqip si Argau, Berna, Bazel Landi, Cyrihu, Friburgu, Glarusi, Jura, St. Galleni dhe Vaudi.

Ishte i pranishëm edhe z. Nuhi Gashi nga MASHT e Republikës së Kosovës.


Punimet e Kuvendit i hapi znj. Merita Azemi- sekretare, mësuese.

Një raport të pasur pune paraqiti z. Nexhat Maloku- kryetar i LAPSH-it. Ndër të tjera tha:” Shkolla shqipe në Zvicër është një emër që e meriton dhe ka krijuar traditë. Historia dhe aktiviteti tridhjetë vjeçar i kësaj shkolle e dëshmojnë këtë më së miri.


Veprimtaria jonë është përqendruar kryesisht në organizimin dhe funksionimin sa më efikas të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Për  rezultatet në veprimtarinë tonë flasin vetë faktet. Numri i mësimdhënësve të kyçur në procesin mësimor është 54. Mësimin e vijojnë 1661 nxënës/e, në 14 kantone. Në krahasim me përpjekjet tona dhe sa i madh është numri i fëmijëve shqiptarë në Zvicër ky numër nuk është për çdo lakmi. Sa i përket vështirësive të shkollës problem në veti paraqet mos institucionalizimi i saj, mësimi mbetet në baza vullnetare dhe duhet paguar nga prindërit.”


Periudha 29-30 vjeçare e veprimit të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, sa i përket funksionimit mund të konsiderohet si fazë e stërzgjatur për të arritur nivelin institucional.


Në pjesën përfundimtare të Kuvendit u mor vendim që Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri “ në Zvicër të kërkojë nga Qeveria e re e Republikës së Kosovës që në afate sa më të shkurtër të institucionalizojë Shkollën shqipe të mësimit plotësues në Zvicër me të gjithë parametrat shtetëror.


Shkollën për mësimin e gjuhës amtare duhet ta bëj shteti, vetëm ai di të organizojë shkollë të mirëfilltë.


Besojmë Qeverinë në  ardhje se do të përmbushur premtimin që e dha gjatë fushatës  zgjedhore. Fëmijët dhe mësuesit shqiptarë kanë nevojë të përkrahen dhe vlerësohen në të njëjtën masë ashtu siç kolegët e tyre në atdhe.


Kuvendi i punës mund të themi me plot gojën se ishte një tubim i suksesshëm. Ai përcolli mesazhe për dy shtetet shqiptare, mesazh që në thelb përmban shqetësimin e mësimdhënësve për të mos harruar gjuhën e bukur shqipe, për të mos u asimiluar nga kulturat e vendit ku punojnë dhe jetojnë. Kjo, veçanërisht, është më urgjente për fëmijët e lindur këtu në mërgim asimilimi gjuhësor dhe kulturor i të cilëve po bëhet me hapa të shpejtë ndërsa interesimi i shtetit dhe shoqërisë është në skaj të vëmendjes. Humbja e gjuhës amtare dobëson marrëdhëniet me vendlindjen. Atdheu ynë mbetet vetëm në kujtesë, sa për të treguar vetëm origjinën.



Delemont, 18.11. 2019                             


Nexhmije Mehmetaj


LAPSH«NAIM FRASHËRI» NË ZVICËR MBAJTI KUVENDIN E PUNËS